Nëse Roma me 3000 vite histori, konsiderohet e lashtë, imagjinoni qytetin në gur, Matera i cili mendohet të ekzistojë të paktën për 9000 vjet. Dikur “turpi i Italisë”, më vonë qyteti fantazmë dhe sot tërësisht i rilindur, Matera mund të ketë përjetuar historinë më dramatike të rilindjes në Evropë.
Deri në vitin 1950, Matera prehistorike me bukurinë e saj tragjike dhe aurën halucinogjene të kalbjes – i ngjante idesë se një nxënësi shkolle për Ferrin e Dantes.

Gjendja e mjeruar e qytetit u ekspozua kur artisti dhe autori italian Carlo Levi botoi kujtimet e tij “Krishti ndaloi në Eboli”. Ai shkruan për periudhën, kur i dëbuar nga regjimi fashist, jetoi në Basilicata. Levi ilustroi një portret real të një bote të harruar që ishte kredhur në skamje e mjerim të tejskajshëm.
“Në këto vrima të errëta pashë disa mobilje të mjera, shtretër dhe disa rroba të rreckosura të varura për t’u tharë. Në dysheme shtriheshin qen, dele, dhi dhe derra… Fëmijë u shfaqën ngado, në pluhur dhe vapë, të zymtë, lakuriq ose me lecka, qepallat të kuqe dhe të fryrë… dhe me fytyrat e dredhura të pleqve, të verdhë dhe të rraskapitur nga malaria, trupat e tyre të kthyer nga uria në skelete… Nuk kam parë kurrë në jetën time një pamje të tillë varfërie.
— Carlo Levi

Përshkrimet rrënqethëse të Levit shkaktuan bujë në Italinë e pasluftës dhe pas një vizite të kryeministrit italian Alcide De Gasperi, në vitin 1950, u vu në lëvizje një plan drakonian, për të zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e Sassi di Matera, në banesa të reja, duke e lënë vendin pothuajse të zbrazur, si një qytet fantazmë. Sassi shumë shpejt fitoi reputacionin e keq për krimin, duke tërhequr gjithmonë e më shumë tregtarët e drogës, hajdutët dhe kontrabandistët.
Matera mori kthesë në vitet 1980, kur shumë të rinj që u bënë pjesë e klasës politike e shoqërore vendosën të ringjallin qytetin e harruar.

Vullnetarët u organizuan mes tyre për të pastruar qytetin nga plehrat. Arkeologët e parë mbërritën në fillim të viteve 1980. Disa vite më vonë, një ligj italian “La Scaletta” u miratua, duke siguruar mbrojtje dhe financim.
Në vitin 1993, UNESCO e renditi Sassin si një vend të Trashëgimisë Botërore, duke e quajtur atë “shembullin më të shquar, të paprekur të një vendbanimi troglodyte në rajonin e Mesdheut, i përshtatur në mënyrë të përkryer me terrenin dhe ekosistemin e tij”.
Të joshura prej kohësh nga historia dhe bukuria dramatike e këtij qyteti e dinim pa u nisur mirë që mund të sakrifikonim ndonjë vend tjeter pa e përfshirë në itinerar për arsye kohe por ky qytet nuk mund të ishte Matera kurrsesi.
Ndaj, të vëmendshme në çdo segment të rrugës gjarpërore mbanim sytë nga dritarja e taksisë të paduruara për çastin kur do të na shfaqeshin “Sassi di Matera”. Turbina ere që rrotulloheshin ngadalë na u shfaqën në horizont dhe kjo ishte një surprizë më vete. Jo shumë larg prej aty u futëm në një zonë të banuar që nuk dallonte shumë nga qytetet e tjera të vogla evropiane.
U ndodhëm papritur në krye të një rruge dhe Mauro, shoferi i taksisë që na solli deri këtu na tregoi me gisht drejtimin nga hyrja e qendrës historike. Në mëdyshje nëse kjo do të ishte hyrja kryesore apo thjesht një nga hyrjet për në zemër të Sassi, pasi pasi qetësia që mbizotëronte aty i ngjante më shumë një vendi pelegrinazhi se sa turistik. Aq sa dhe ne ulëm zërin e po pëshpëritnim teksa zbritëm një të tatëpjetë.

Ky vend do të ishte parajsa e çdo fotografi, menduam sepse mungesa e njerëzve lejonte shkrepjen e fotove me qetësi dhe ndërtesat e rrugicat rustike i jepnin karakter çdo modeli apo objektivi.
Zonat antike të qytetit përbëhen nga dy Sassi – Sassi Barisano dhe Sassi Caveoso – dhe mënyra më e mirë për t’i zbuluar të dyja është në këmbë.
Nëse dëshironi mund të merrni biçikletë elektrike ose triçikël si ky në foto por rekomandojmë të shëtisni me këmbë, pasi liria me të cilën mund të hyni apo të ndaloni kudo që ju tërhiqet vëmendja është e pazëvendësueshme.

Ndërkohë që Sassi Barisano ka përjetuar një zhvillim të konsiderueshëm, me shpella të vjetra të rinovuara bukur për të krijuar hapësira mahnitëse arti, hotele butikë dhe restorante tradicionale, Sassi Caveoso është vendi ku mund hidhni një vështrim nga e kaluara.
Aty në sheshin “Piazza San Pietro Caveoso”, ndodhet kisha me të njëjtin emër, e ndërtuar në shekullin e 14-të pikërisht në buzë të Gravinës, një kanion mbresëlënës që është krijuar nga erozioni ujor mijëravjeçar. Kisha “San Pietro Caveoso”, një nga të paktat objekte të ndërtuara tërësisht brenda Sassi, është padyshim një nga shembujt më të rëndësishëm në botë të habitateve shkëmbore.

Përbri kishës gjetëm “Casa Grotta” shpellat muzeale, kryesisht të paprekura që nga vitet ’50 dhe një ndjesi e çuditshme trishtimi na kaploi. Për të kuptuar jetesën brenda shpellave, është thelbësore të vizitoni një prej tyre në Sassi, për të parë si ishte organizuar hapësira e banimit, me një kuzhinë, një dhomë gjumi, një stallë dhe një sternë.



Shpellat në Sassi di Matera nuk janë shpella natyrore, por mjedise të gërmuara nga njeriu, falë përbërjes së një shkëmbi që është i lehtë për t’u punuar, kalkareniti.
Një aplikacion me udhërrëfyes audio, për tu shkarkuar në telefon ju sugjerohet nga stafi në hyrje. Pasi paguani biletën mund të hyni e të merrni kohën qe doni për të soditur nga afër çdo detaj që përmendet në audio.
Është shumë nxehtë në Matera, kështu që përpiquni të shmangni ecjen në mesditë. Për tu freskuar zgjodhëm një bar të hapur ku nëpër shkallë ishin shtruar jastëkë të vegjël të rehatshëm. Nga aty mund të kishim një pamje fantastike të sheshit rrëzë një shkëmbi madhështor me një kryq në krye.
Disa re të bardha në qiell të pastër blu na dhuruan një spektakël. Na erdhi keq vetëm që nuk kishim me vete aparatin fotografik profesional, por duhet të mjaftoheshim me fotot e telefonave.
Ky qytet është dashuria e Hollivudit dhe si i tillë është shfaqur në disa filma: “Pasionet e Krishtit” (2004), “Ben-Hur” (2016) dhe “Mary Magdalene” (2018).
Të jetë shfaqur ky kryq në ndonjë nga skenat e filmave më sipër? Nuk mund ta thonim me siguri por sidoqoftë ajo panoramë para syve tanë po na dukej gjithmonë e më e njohur.
Kaluam një ditë të gjatë rrugicave të ngushta, shesheve dhe oborreve të vogla të bukura plot me kaktuse. U ngjitëm shkallëve të vjetra prej guri për të soditur panorama marramendëse, shëtitëm sheshe dhe u përhumbëm nëpër harqe triumfuese për të zbuluar një botë tjetër, që nuk i ngjan aspak së sotmes.





E megjithatë, përshtypjet dhe ndjesitë më të bukura ishin natën kur dritat e ngrohta uniforme, ndriçojnë çdo guvë, shtëpi dhe monument e ju mund të soditni e hamendësoni me orë të tëra ku duhet të jetë njëra pikë apo tjetra nga ato që keni vizituar gjatë ditës. Ndaj nëse mundni, llogaritni të qendroni të paktën një natë aty e nuk do të zhgënjeheni.


Akomodimet janë të shumta dhe çfarëdo zgjedhje që të bëni, si për një shpellë luksoze, akomodim ekonomik apo diçka në mes, ky qytet i mrekullueshëm i ofron të gjitha dhe do t’ju përgjigjet.



Jemi të lumtura që vizituam qytetin e lashtë tani që është relativisht i panjohur për vizitorët e huaj. Patëm fatin dhe mundësinë për të prekur nga afër një vend me bukuri dhe traditë të rrallë, ku turizmi nuk ka marrë ende hov.
Në vitet e ardhshme, është e sigurt që kjo do të ndryshojë, ndoshta dhe falë nesh që me shumë dëshirë do e promojmë e rekomandojmë si një vend frymëzues, i denjë për MUZA. Nëse dëshironi të organizojmë për ju udhëtimin ideal na kontaktoni dhe do të jemi të lumtur t’ju asistojmë,





