Polignano: 27 korrik 2022
Polignano a Mare, qyteti që ka fituar me të drejtë, meritat si një destinacion për të cilin ia “vlen barra qiranë” ta vizitosh të paktën një herë në jetë, na shpërbleu me emocione të jashtëzakonshme.

Ndërtesat e bardha historike, ndërtuar buzë shkëmbinjve dramatikë të gërryer nga përplasjet e valëve të çdo nuance të mundshme bluje të kujtojnë vargjet e Domenico Modugno, kur këndon “nel blue dipinto di blu”.
Volare oh, oh
Cantare oh, oh
Nel blu dipinto di blu
Felice di stare lassù
E volavo, volavo felice
più in alto del sole

Pikërisht në një nga këto ndërtesa që ofrojnë pamje mahnitëse mbi detin blu duhet të jetë frymëzuar edhe Modugno, i lindur dhe rritur këtu.
Qyteti i vjetër mesjetar ruan dëshmi të popujve që jetuan dhe luftuan këtu, duke lënë gjurmë të kohës edhe në arkitekturën e kulturën vendase. Ndaj është një destinacion i lakmuar jo vetëm nga të huajt por edhe nga vetë italianet që tërhiqen kryesisht gjatë fundjavës.

Bukuria e qyteteve të vogla turistike, qendron në faktin, se lëvizja e njerëzve të orienton drejt pikave me interes dhe nëse përdor intuitën apo je një vëzhgues i mirë mund të pikasësh për të mbajtur mend vetëm dy – tre elementë dallues dhe pas kësaj nuk ndodh të ngatërrohesh apo të humbësh.
Kështu dhe ne, pa hapur google maps e pa pyetur njeri në rrugë vendosëm të ndjekim rrjedhën sapo zbritëm nga treni.
Nga stacioni deri në qendrën e vjetër është jo më shumë se 10 min me këmbë. Aty këtu shikon grupe të rinjsh me rroba banjo e floket e lagur që kthehen nga plazhi ashtu të shpenguar e duke i punuar rrengje njeri-tjetrit.

Sapo u ndodhëm para sheshit Garibaldi nuhatëm në ajër aromën e detit që na largoi menjëherë lodhjen e rrugës.
Një portë e madhe dukej përtej sheshit qendror dhe kuptuam që ajo duhet të ishte hyrja për në qendrën historike, “Porta Grande” ose e njohur ndryshe Arco Marchesale. Tingujt e një instrumenti aty në hyrje na ndalën për pak e na dhanë kohë për një pamje të parë të sheshit të vogël brenda mureve pa hyrë ende aty.

Nëse, jeni me fat dhe gjeni gjatë verës vend këtu në Piazza Vittorio Emanuele II, mund të uleni për një pije ose nje kafe e të shijoni atmosferën që krijohet nga njerëzit që parakalojnë aty.

Si shqiptarë të vërtetë që jemi, fakti që prej dy ditësh, nuk po gjenim komoditetin e një kafeneje të rehatshme me kondicioner, ku të pinim kafen me ajkë në qetësinë tonë, kishte filluar të na bezdiste pak. Në çdo vend që porositnim pritej ta pije kafen shpejt dhe të largohesh, ndaj zhvilluam strategjinë tonë për të fituar kohë. Një ëmbëlsirë pak më vonë e pastaj edhe një akullore e kështu nuk binte në sy qëndrimi pak më shumë se duhej sipas standardeve italiane që e kthejnë me një rrufitje pranë barit. Ndaj ky shesh na pëlqeu për ritmin e ngadaltë që turistët i kishin diktuar vendit për të shijuar kafen apo pijen pa nxitim.

Nga ballkoni që na u shfaq papritur në shëtitjen e shkujdesur drejt rrugicave, pamë qe kishim dalë padashur mbi restorantin e mirënjohur “Grotta Palazzese”.

Gjasat janë që edhe ju ashtu si ne të keni hasur shpesh nëpër media sociale foto të këtij restoranti me emër brenda një shpelle ndaj e njohëm menjëherë.

Bluja e detit dhe e qiellit binte në kontrast me atmosferën misterioze të zgavrës natyrore duke pasqyruar mbi të bukurinë e peizazhit bregdetar, ndërsa ato të mbrëmjes, në perëndim të diellit, krijonin nuanca hipnotizuese, nën sharmin dhe elegancën e dritave të restorantit.
U rikthyem disa herë këtu të tërhequra nga kurreshtja se si do te dukej në orë të ndryshme të ditës dhe të natës dhe nuk u zhgënjyem.

Qeramikat shumëngjyrëshe në hyrje të dyqaneve na bënin të kthenim kokën herë pas here por duhet ti kujtonim vetes kufizimin e peshës në fluturim apo dhe rrezikun për ti dëmtuar gjatë rrugës ndaj u mjaftuam me një qeramikë të vogël në formë sythi.

Vendasit i referohen si “Pumo Di Fiore” e sipas tyre konsiderohet fatndjellëse. Një syth trëndafili gati për t’u çelur, që i referohet pjellorisë, familjes që lind dhe rritet, gëzimeve, sukseseve etj.

Paksa në stil barok e paksa pagane në koncept – që nga shekujt e kaluar – ky element dekorativ u kthye në simbol të pasurisë dhe dallimit shoqëror. Familjet më të pasura në Apulia u kujdesën të stolisnin parmakët e ballkoneve, shkallëve, duke i personalizuar edhe me ndonjë element heraldik, për ti dalluar shtëpitë nga njëra-tjetren.

Shumë prej këtyre ndërtesave janë kthyer në dyqane dhe akomodime për turistë por megjithatë ende ka të tilla ku banojnë apo përdoren nga vetë pronarët për pushime.


Mos u çuditni nëse prej ndonjë nga këtyre ndërtesave dëgjoni debate me tone të larta apo thyerje pjatash. Atë pasdite vere në një rrugicë të qetë qorre, u dëgjua nga dritarja e hapur në theksin puliez një e thirrur “Ma chi se ne frega Antonioooo” dhe na u duk për pak vetja si karaktere të një filmi bardhë e zi që mbajnë vesh zënkat e komshinjve tek prisnim përgjigjen e Antonios.

U kthyem në hotel ku na priste një surprizë e bukur. Vajza e recepsionit, e buzëqeshur dhe shumë e mirësjellshme na dëgjoi që flisnim shqip dhe na u prezantua si patriotja jonë. Është gjithmonë kënaqësi kur takojmë shqiptarë jashtë vendit dhe pavarësisht se nuk njihemi na bëhen të afërt si të jenë familje. Kjo është fuqia e gjuhës dhe e gjakut.

Akomodimet në Polignano a Mare, ashtu si në çdo qendër të vjetër historike janë të vogla në përmasa dhe nuk pritet të kenë interiore luksoze. Ndaj kur i përzgjedhim i mëshojmë pastërtisë dhe shërbimit. Edhe kësaj here qëlluam në shenjë si për nga pozicioni ashtu dhe nga niveli i akomodimit.
Pasditet e mbrëmjet janë orët më të përshtatshme për tu relaksuar kur je në udhëtim. Nuk je në ngut për të parë e zbuluar gjithçka me çanta në shpinë e të lodhur nga vapa. Të gjithë janë më të çlodhur, të veshur bukur, të parfumosur e të dashur me njëri tjetrin, sidomos këtu.





Polignano a Mare është qyteti romantik “par excellence” i Pulias. Vendasit kujdesen të dekorojnë hapësirat e tyre me lule shumëngjyrëshe dhe i mbajnë rrugët të rregullta dhe të pastra.
Guido Il Flâneur, një poet, i frymëzuar nga deti dhe qyteti, thuhet se filloi të shkruajë mbi mure, shtigje dhe shkallë, vargje romantike dhe aforizma të shkrimtarëve e filozofëve të njohur duke i shtuar atmosferën romantike qytetit.

Duke ndjekur e lexuar këto poema u drejtuam nga tarraca më e bukur e Polignano a Mare.
Aty pranë në një qoshe të bardhë dekoruar bukur darkuam lehtë por me shije. Një puhizë e lehtë që filloi papritur por që shumë shpejt pasoi me stuhi, rrufe e vetëtima na krijoi mundësinë të kemi vetëm për vete tarracën me pamje marramendëse që ishte zakonisht plot me njerëz.

Kjo tarracë të dhuron pamje spektakolare të plazhit më të vogël por më të famshëm “Cala Monachile”.
Aty nga një lartësi prej 15 metrash mund të admironi limanin unik që me siguri do ta keni parë në të gjitha kartolinat apo artikujt që përshkruajnë Polignano.

I ndodhur në zemër të Polignano, ky plazh i vogël i rrethuar nga shkëmbinjtë gëlon nga njerëz të moshave të ndryshme, të cilët me qytetari e tolerancë shijojnë ujërat e kthjellët e panoramën e shkëmbinjve të thepisur, pa pretenduar se atyre u takon një vend më shumë se të tjerëve aty rrotull.

Për të shkuar në plazh mund të hyni mes një ure me harqe që njihet si Ponte Lama Monachile, një nga gjurmët e pakta të mbetura nga rruga antike romane “Via Traiana”.



Të nesërmen nuk i rezistuam një kredhjeje aty sepse e dinim që do të pendoheshim nëse nuk e bënim, por përgatituni të bëni akrobacira e të dukeni paksa qesharakë pasi nuk është aspak e lehtë të ecni në det duke qenë se shkëmbinjtë nënujorë janë rrëshqitës e ta vështirësojnë disi hyrjen dhe daljen.
Pas plazhit, duhet të niseshim për në qytetin e gurtë Matera ndaj edhe pse me keqardhje që nuk qëndronim dot më gjatë ikëm, me mendimin se një ditë tjetër akoma më e bukur do na priste.
Na surprizo Matera!

